Monday, May 26, 2008

Uilliam Shekspir - Xhenifer Basset (Një përkthim i porositur dhe i refuzuar me urdhër)

Përveç këtij rasti flagrant, ku një botues pa e prekur me dorë e pa e parë përkthimin e porositur e refuzon, pasi ashtu e ka urdhëruar shteti shqiptar, në bazë të së drejtës shqiptare përkthimet botohen e ribotohen me vite e dekada nga botuesit pa u njohur më asnjë të drejtë përkthyesve për punën e tyre. Akoma më i rëndë është imponimi i fshehur ndaj një përkthyesi si unë, që për të fituar kotheren e bukës, është i detyruar të marrë një shpërblim qesharak ndërsa frutin e punës, autorësinë e përkthimit e gëzon dikush tjetër. Në Shqipëri ka njerëz që rrojnë e mburren me punën dhe djersën e tjetrit. Këto gjëra bëhen edhe më të lehta kur viktima e njerëzve të tillë është viktimë e Persekutimit të Shtetit Shqiptar dhe e një Supershteti siç është Bashkimi Evropian!



Oxford Bookworms Library

Uilliam Shekspir

XHENIFER BASET


Uilliam Shekspir
Jemi në Stretford – mbi – Avon, viti 1578. Një djalë është i ulur në bangon e tij të shkollës, po dëgjon mësuesin, lexon librat dhe mëson. Por çfarë po mendon ai?
Londër, viti 1587. Djali po hyn me kalë për herë të parë në Londër. Ai dëgjon gumëzhitjen e njerëzve në rrugë, viziton muret e lartë të Tauerit në Londër, vështron poshtë ujërat e lumit Temz.
‘Temz i ëmbël, rridh qetë – qetë deri sa unë të shkruaj këngën time”.
Londër, 1601. Në bregun e lumit Temz varkëtarët po thërrasin: Nxitoni, nxitoni o njerëz! Në teatrin Globi edhe pak dhe s’do të ketë më vende bosh!. Dy mijë shikues po kalojnë lumin për të ndjekur shfaqjen e fundit të Uilliam Shekspirit – Hamleti.
Këtë tregim për Shekspirin do të na e rrëfejë miku i tij Tobi. Tobi s’është njeri real – ndonse Shekspiri mund ta ketë patur një mik me këtë emër. Përveç tij të gjithë personazhet e tjerë janë njerëz të vërtetë, miq të tij, që e kanë njohur Uill Shekspirin aktor, poet dhe dramaturg. Ata e thërrisnin ‘Shekspiri zemërflori’, dhe ishin të vetëdijshëm se ai ishte poeti më i madh i Anglisë. Miku i tij Ben Jonson do të shkruante:
‘Ai s’i takon vetëm një epoke, ai u përket të gjitha kohrave.”



XHENIFER BASET
Jeta dhe Epoka e
Uilliam Shekspirit

OXFORD UNIVERSITY PRESS


Përmbajtja

HYRJE 1
Hartë e Stretford-mbi-Avon 4
Harta e Londrës 2
1 Tobi kujton 1
2 Stretford-mbi-Avon 2
3 Aktorët vijnë në qytet 6
4 Një jetë e re në Londër 9
5 Vitet e murtajës 15
6 Vdekje në familje 19
7 Mbretëresha, mbretër dhe princër 25
8 Një mbret skocez për Anglinë 31
9 Taverna Sirena 37
10 Kthimi në Stretford 40
11 Vitet e fundit 44
12 Anglia do ta kujtojë gjithmonë 47

MBI SHEKSPIRIN SOT 60
MBI AUTORIN 61
MBI BOOKWORMS 62



1

Tobi kujton

Më quajnë Tobi. Unë jam një burrë plak, që në pranverë mbush tetëdhjetë vjeç. Shtëpinë e kam mu në mes të Stretford-mbi- Avon, dhe nga dritarja mund të shoh pazarin. Unë rroj shumë mirë tani. Jam shumë i moshuar, dhe e shkoj ditën në karrike.
Unë kam patur fatin të njoh njeriun më të madh të Anglisë. E kam patur mik për tridhjetë vjet. Kemi punuar bashkë në teatër, ku kemi kaluar ditë të mira e të këqia. Ai është dramaturgu më i madh, dhe poeti më i mirë i të gjitha kohrave në Angli. E quanin Uill Shekspir.
Unë i kam parë të gjitha shfaqjet e tij. Njerëzit i pëlqenin shumë. Në teatër bëhej zhurmë, njerëzit qanin dhe qeshnin, hanin portokallë, dhe kërkonin t’ua përsëritnin. Aty vinin të gjitha kategoritë njerëzore. Uill Shekspir i kënaqte të gjithë, si mbretërit e mbretëreshat, lordët e mëdhenj dhe zonjat, ashtu edhe të varfërit, djemtë, që mbanin kuajt … të gjithë.


Të gjithë shtresat e shoqërisë … Uill Shekspir dinte t’i kënaqte të gjithë

Njëherë ai më bëri personazh të një drame. Dhe përdori emrin tim – Tobi. Më kujtohet, ishte shfaqja Nata e Dymbëdhjetë. Zotëria Tobi Belç. Ai ishte një trashaluq, të cilit i pëlqente të pinte shumë dhe të bënte qejf. Mbretëresha Elizabeta I-rë e ndoqi atë shfaqje më gjashtë janar 1601. Edhe asaj i pëlqeu.
Kuptohet, Uilli s’është më. U bënë tridhjetë vjet që ka vdekur, dhe tani asnjë s’i ndjek dot më dramat e tij. Puritanët i kanë mbyllur të gjitha teatrot. S’ka më as këngë, as vallëzim, as shfaqje. Kur isha i ri ishte ndryshe. Unë dhe Uilli kishim me se ta kalonim kohën në Londër …
Tani s’më ka mbetur asnjë dhëmb në gojë, flokët më kanë rënë, por mendja më punon akoma - dhe kujtesa s’më ka lënë. Më kujtohet kur unë dhe Uilli ishim të rinj, fëmijë të veckël…



2

Stratford-mbi-Avon

Për herë të parë, me Uillin jemi takuar në periferi të Stretfordit, pranë një are me pemë molle. Ishte një ditë tetori me diell e vitit 1579. Atje unë pashë një djalë që kishte hipur në pemë. Ishte flokëkuq dhe ngjante dy vjet më i madh se unë.
- Çfarë po bën aty? – i thirra.
- Po marr disa kokrra mollë, - më tha ai duke qeshur.
- Ato janë mollët e bujkut Nesh, - i thashë. – Po të pa, ka për t’i lëshuar qentë e tij.
- Zoti Nesh ka shkuar në pazar, - më tha djali. – Hajde! Janë mollë të mira.
Unë s’prita dhe u ngjita lart në pemë. Por Uilli e kishte gabim. Bujku Nesh s’ishte në pazar, pas pak ne pamë mbi mur në cepin tjetër të arës fytyrën e tij të skuqur nga zemërimi.
Bashkë me Uillin ia mbathëm si era dhe vrapin e ndalëm vetëm në breg të lumit. Atje u ulëm të hanim mollët.
Uilli më tha se ishte pesëmbëdhjetë vjeç, dhe se shtëpinë e kishte në rrugën Henli. Babanë ia quanin Xhon Shekspir, kishte një motër, Xhoanën, si dhe dy vëllezër më të vegjël, Xhilbertin dhe Rikardin. Siç mësova më vonë, një motër i kishte vdekur. Pas një viti ai u bë me një vëlla tjetër, Edmondin, më i vogli i familjes.
- Po ti? – pyeti ai.
- Veç motrës unë s’kam njeri tjetër, - i thashë. – Prindërit më kanë vdekur, dhe ne rrojmë me dajën. Ai është këpucar në rrugën Eli dhe unë punoj për të. Po ti me se merresh?
- Unë shkoj në shkollën e z. Xhenkins te rruga e kishës, - tha Uilli. – çdo ditë, nga ora shtatë deri në pesë pasdite. Përveç të djelave, kuptohet.
Ai djalë m’u dhimbs. – Nuk mërzitesh? – e pyeta.
- Ndonjëherë. Por më shumë kënaqem. – Ai u shtri në kurriz dhe vuri duart prapa kokës. -
- Ne lexojmë dhe mësojmë gjith’ato autorë latinë. Por mua më pëlqen të lexoj shkrimtarë të ditëve tona dhe autorë anglezë, si Xhefri Shosër. A din të lexosh? – më pyeti ai.
- Lexoj, posi jo! – I thashë. – Edhe unë kam bërë shkollë.
Uilli u ngrit dhe filloi të hajë një mollë tjetër. – Unë dua të bëhem shkrimtar, - tha ai. – Më shumë se çdo gjë tjetër në botë më pëlqen të bëhem poet.


Që nga ajo kohë e deri ditën kur ai vdiq ne mbetëm miq. Takoheshim thuajse çdo ditë. Ai më mësonte gjëra të reja mbi librat dhe shkrimtarët. Atë do ta gjeje gjithmonë të zhytur në libra.
Kur Uilli mbaroi shkollën, ai punoi me babanë në rrugën Henli. Xhon Shekspir ishte një dorashkapunues, por ai bënte dhe punë të tjera, blinte dhe shiste bagëti. Por Uilli s’tregonte interes.
- Çfarë do të bëjmë, Tobi? – më tha ai një ditë. – Ne s’mund ta kalojmë tërë jetën duke bërë dorashka dhe këpucë!
- Po ja, - i thashë unë, - ne mund të ikim fshehurazi e të bëhemi marinarë. Të udhëtojmë rreth botës si Frensis Drejk.
Kur Drejk u kthye në Plimëth pas një udhëtimi prej tre vjetësh rreth botës, ne ishim akoma në Stretford. Ne bëmë shumë plane, por prej tyre s’nxorrëm kurrgjë në dritë.
Uilli vazhdonte të lexonte shumë dhe kishte filluar të shkruante poema. Herë pas here m’i tregonte, dhe unë i thosha se ishin shumë të bukura. Në të vërtetë, unë s’e kisha idenë se ç’ishte poezia, por ai atë e kisha mik.
Uilli s’ishte i kënaqur me shkrimet e tij. – Kam shumë për të mësuar, Tobi, - më thoshte. – Kaq shumë.
I gjori Uill. Atij i duhet të mësonte shumë gjëra edhe mbi gratë. Një ditë tetori të vitit 1582 ai erdhi tek unë turivarur.
- Unë s’do të largohem kurrë nga Stretfordi, - tha ai.
- Përse? – e pyeta. – Ne do t’ia mbathim bashkë një ditë. Ke për ta parë.
- Ti ndoshta, - tha ai, - ndërsa unë për pak ditë do të martohem me An Hathëuej.
Unë mbeta gojëhapur. – Do të martohesh! Me An Hathëuej, që banon lart në Shotëri?
- Po, - tha Uilli. Unë po bëja këpucë, dhe Uilli mori njërën nga tavolina dhe po e shikonte.
- Po mirë, ajo është një vajzë e mrekullueshme, s’diskutohet, - i thashë unë pa qejf.
- Veç se … Uill, ajo është njëzet e gjashtë vjeçe kurse ti je vetëm tetëmbëdhjetë!
- E di, - tha Uilli. – S’kam ç’bëj tani.
– Mos more! – i thashë. – Mos don të thuash se ajo është …
- Tamam, - i tha Uilli. – Në afro gjashtë muaj unë bëhem baba.



3

Në qytet vijnë aktorët

Në nëntor Uilli u martua me An Hathëuej, dhe ajo erdhi të banojë në rrugën Henli. Xhon Shekspiri u gëzua që djali i tij i madh u bë me nuse, por unë s’besoj se nëna e tij donte që Uilli të martohej aq i vogël. Duhen para për të mbajtur një familje, dhe Xhon Shekspiri në atë periudhë s’kishte. Qenë kohë të vështira për të gjithë banorët e rrugës Henli.
Në maj lindi Suzana. Mua më duken të gjithë fëmijët njësoj, por Uilli ishte shumë i lumtur.
- Pa shih, Tobi, ajo i ka sytë si të miat, - më tha i gëzuar. - Ajo do të bëhet e bukur si mbretëresha e Egjiptit, dhe e zgjuar si mbreti Solomon.
- Ashtu? – i thashë unë. – Të gjithë prindërit kështu flasin për fëmijët e tyre. Unë s’u besoj këtyre fjalëve.
Unë nuk takohesha shpesh me gruan e Uillit. E dija që s’më donte. Për të unë isha një nga shokët e tërbuar të Uillit, që e fusja në telash. Ajo rridhte nga një familje shumë serioze puritane, të cilat shkojnë vetëm në kishë dhe s’dinë ç’janë këngët dhe vallet.
Shumë shpejt ato zunë një fëmijë tjetër, dhe një mbrëmje të muajit shkurt 1585 unë shkova me vrap në rrugën Henli ku mësova për lajmin. Derën e hapi motra e Uillit, Xhoana, dhe më pas Uilli u derdh poshtë shkallëve.
- Janë dy! – tha ai. - Binjakë! Një djalë dhe një vajzë. Një mrekulli!
Uilli kishte dy shokë të mirë, Hamnet dhe Judit Sedler, dhe binjakëve u vuri emrat e tyre. Xhon Shekspir u gëzua shumë kur lindi nipi i parë, dhe për një farë kohe të gjithë qenë të lumtur.
Kur mundnim, unë dhe Uilli dilnim bashkë në shtëtitje. Ai vazhdonte të lexonte, dhe të shkruante, dhe shpejt unë vura re se ai kishte ndryshuar. Tani ai mbushi njëzet e tre, por s’ishte i lumtur.
- Stretford është qytet shumë i vogël, Tobi, - më tha. – Shumë i ngadaltë. Shumë i qetë. Shumë monoton. Unë dua të iki që këtej.
- Mirë, por qysh? – e pyeta. – Mos harro se ti ke familje – tre foshnje të vogla.
Ai s’u përgjigj.
Gjatë muajve të verës në qytete të vogla vinin shpesh trupa aktorësh, dhe më 1587 erdhën pesë prej tyre.
Bashkë me Uillin shkoja në të gjitha shfaqjet. Uillit i pëlqente të bisedonte me aktorët dhe t’i dëgjonte kur flisnin për Londrën.
Në muajin qershor në Stretford mbërriti trupa teatrale Kuin, dhe ne shkuam të shohim shfaqjen. S’më kujtohet se ç’ishte. Por mbaj mend se kam qeshur shumë, dhe se Uilli më tha se ishte një pjesë e dobët pa kurrëfarë poezie.
- Përse nuk shkruan vetë një dramë? – i thashë.
- Kush, unë? – Ai qeshi. – Ana s’do më fliste më me gojë.
Unë s’fola, por Uilli më vështroi në sy dhe qeshi përsëri.
Kjo ndodhi pak muaj më vonë.


Në qershor trupa e Mbretëreshës erdhi në Stretford.

Një mbrëmje kur hyra në kuzhinën e familjes Shekspiri, Anën e gjeta të zemëruar dhe me fytyrë të skuqur po gërthiste deri në kupë të qiellit.
- Si guxon të ma punosh kështu? Po fëmijët, - Kur më pa e mbylli gojën.
Uilli ishte ulur në tavolinë, dhe u gëzua kur më pa. – I tregova Anës, - tha ai me zë të qetë, - se do të shkoj të jetoj në Londër. Dua të bëhem aktor, dhe po të jem i zoti do të shkruaj drama.
- Drama! – uluriti Ana. – Teatër! Aktorët janë njerëz të ndyrë e të ligj! Janë që të gjithë hajdutë e kriminelë! Bëhen gjithë ditën tapë dhe s’shkojnë në kishë
- Mos u bëj budallaqe, Ana. Ti e din që këto s’janë të vërteta. Më dëgjo mua. Unë do të vij në shtëpi sa herë të më jepet mundësia, por unë duhet të shkoj në Londër. Unë s’di të bëj asnjë punë në Stretford. – Ai më vështroi nga cepi tjetër i dhomës. – A don të vish me mua, Tobi?
- Për kur është fjala? – i thashë.



4

Një jetë e re në Londër

Udhëtimi zgjati dy ditë me kalë, dhe Uillit s’iu mbyll goja gjithë rrugës. Ai ishte i entusiazmuar dhe sytë i shndrisnin. Kishte shumë plane, poema dhe dashuri për jetën.
- Unë fola me një nga ata të trupës Kuin, - më tregoi. – Ai mund të më gjejë vend pune në teatër. Mbase një vend si aktor, ose do të shkruaj drama. Unë i tregova disa nga shkrimet e mia, dhe ai tregoi shumë interes.
Kur hymë në Londër, unë fillova të kem frikë. Qyteti ishte i madh, shumë i madh, kurse ne ishim dy të rinj të parëndësishëm nga një qytet i vogël. Kurrë s’kam për ta harruar atë zhurmë, kundërmimet, dhe turmën. Në qytetin e Londrës jetonin dyqind mijë banorë – s’kisha parë ndonjëherë kaq shumë njerëz në jetën time.
Ne zbritëm deri në buzë të lumit Temz, vizituam Urën e famshme të Londrës, dhe pamë të gjitha ndërtesat dhe dyqanet. Rrugës për te lumi gjendej Tauër i Londrës. Aty, në portën nga ana e lumit, hynin armiqtë e mbretëreshës, dhe më të shumtët dilnin andej pa kokë.
Në Istçip ne gjetëm një bujtinë të vogël, jo shumë të shtrenjtë, ku për darkë na nxorrën për të ngrënë pak bukë, mish dhe birrë. – Ja pra, mbërritëm! – tha Uilli. - Më në fund! - i thashë unë. – Hm, por nga do t’ia fillojmë?
Ai qeshi. - Ç’të dalë përpara!


Kurrë s’kam për ta harruar atë zhurmë, kundërmimet, dhe turmën

Vitet e para qenë të mahnitshme. Natyrisht, ne s’kishim para dhe na duhej të punonim shumë.
Një aktor merrte vetëm gjashtë shilinga në javë, dhe punë s’gjeje gjithmonë. Unë vendosa të mos bëhesha aktor.
- Pse nuk don? – tha Uilli. – kjo është një përvojë e mrekullueshme.
Atë muaj ne punuam për trupën Kuin në teatrin Dhë Kërtën Ap në Shordiç. Uilli luante katër role të vogla në dy pjesë të ndryshme. Në njërën shfaqje ai kishte rolin e një ushtari dhe të një vrasësi, ndërsa në tjetrën ishte hajdut, dhe një lord italian, që kishte rënë në dashuri me Mbretëreshën e Natës. Ishte shumë i lumtur.
- Unë s’jam i zgjuar sa ti, - i thashë. – S’i mbaj mend fjalët, dhe harroj shumë! Kur dal si lord italian, unë recitoj fjalët e ushtarit. Edhe në skenë ose hyj para kohe, ose hyj me shumë vonesë dhe gjendem gjithmonë në vendin që s’duhet.
Uilli qeshi. – Ç’ke ndërmend të bësh, atëherë?
- Kostume, - i thashë. – Dhe rekuizitë. Fola me Xhon Heming, dhe ai më tha se kishin nevojë për një njeri, që t’i ndihmonte për rrobat dhe sendet e tjera.
- Po, - më tha Uilli pa u ngutur. – Ke për ta bërë mirë. Shiko, nesër kam një duel në skenë, aty do të vritem duke derdhur shumë gjak.. Ku do më gjesh pak gjak?
- E kam gjetur! – I buzëqesha miqësisht. - Gjak bagëtie. E mora sot në mëngjes te pazari Smithfiëld. Ke sa të duash. E kam mbajtur të ngrohtë për ty.
Uilli ishte një aktor i mirë. Jo më i miri, por i mirë. Një aktor duhet t’i bënte të gjitha. Kuptohet, duhet të dinte mirë tekstin – ndoshta të gjashtë shfaqjeve të ndryshme njëkohësisht. Asnjë teatër nuk shfaqte të njëjtën pjesë teatrale çdo ditë. Ai duhet të vallëzonte, të këndonte dhe t’i binte instrumentit. Ai duhet të kërcente, të rrëzohej, dhe të luftonte. Dhe dueli duhej të ngjante i vërtetë. Artdashësit në Londër e dallonin menjëherë një luftim të vërtetë.
Xhon Heming i trupës Kuin na mësoi të dyve shumë gjëra. Ai u bë për ne një mik i shtrenjtë.
Edhe unë përfitova shumë. Unë mësova si të bëja me letër këpucë ngjyrë kafe, si të pastroja me një copë bukë kapelet e aktorëve të dukeshin prapë si të reja. Vrapoja në çdo cep të Londrës për të blerë flokë për paruke, mësova se si të sajoja me letër a dru të ngjyrosur një peshk, një frut apo një thelë mishi.
Uilli ishte i zënë ditën dhe natën. S’e merrja vesh se kur gjente kohën për të fjetur. Ai luante role, shkruante libra, takohesh me shkrimtarë të tjerë, bënte miq … Dhe veç studjonte e studjonte.
Një ditë ne po pinim një gotë birrë me Rikard Bërbixh te Koka e Derrit në Istçip. Bërbixh punonte si aktor te trupa Lord Strejnxh. Ai ishte miqësuar shumë me Uillin.
- Ti ke shkruajtur katër pjesë, Uill, - i tha ai. – I ke të mira, dhe çdo ditë po bën përpara. Edhe unë si aktor kam bërë përparime. Eja të punojmë bashkë në trupën Lord Strejnxh në teatrin Rouz te buza e Kanalit. Atje ti mund të shkruash drama për ne.
Kështu që ne shkuam te Rouz. Bashkë me ne erdhën Xhon Heming dhe Agustin Filips – edhe ai ishte një aktor i mirë.
Te Rouz ne punuam akoma më shumë. Shfaqjet jepeshin gjithmonë pasdite, kur ngrysej. Provat i bënim paradite. Aty nga dreka njerëzit fillonin të kalonin lumin për të zënë vendet para se të fillonte shfaqja. Numri i njerëzve shtohesh vazhdimisht. Më 1592 në Londër emri i Shekspirit u bë shumë i dëgjuar.



5

Vitet e murtajës

Për Rikard Bërbixhin Uilli shkroi dramën Rikardi III-të, që qe një sukses i madh. Rikardi i Tretë ishte një mbret i pashpirt, – një vrasës – por në skenë atë e solli shumë bukur Bërbixh me zërin e tij të mahnitshëm dhe lojën e mrekullueshme. Shumë shpejt e gjithë Londra mbante në gojë fjalët e famshme të mbretit Rikard kur kali iu vra në betejë:

Një kalë! Një kalë! Jap një mbretëri për një kalë!

Për të parë shfaqjet vinin njerëz të shtresave të ndryshme dhe Uilli zuri shumë miq. Një ditë, pas shfaqjes, ai po bisedonte jashtë ndërtesës së Rouz me një djalë të ri. Ishte një djalosh shumë i bukur, vinte pak si një vajzë – por prapë ishte shumë i pashëm. Më pas, e pyeta Uillin se kush ishte.
- Duka i Sauthemptën, - tha Uilli. – Sapo ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, por i pëlqejnë poezia dhe drama.
- Sikur është mik me Dukën e Eseksit? – e pyeta. Të gjithë kishin dëgjuar për Dukën e Eseksit. Ai ishte një djalosh i lezetshëm – dhe flitej se mbretëresha Elizabetë kishte rënë në dashuri me të.
Unë vetë s’jam i sigurtë. Mbretëresha ishte pesëdhjetë e nëntë vjeçe. Ajo ishte një grua tepër e zgjuar. Është e vërtetë se asaj i pëlqente t’i vinin rrotull djem të pashëm, dhe më i preferuari i saj qe duka i Eseksit. Por natyrisht, më vonë gjërat ndryshuan.
- Po, - më tha Uill. – Por për mua ai është njeri i rrezikshëm. Henri ka nevojë për miq më të mirë se ai.
- Henri, hë? – i thashë i habitur. - Për fjalë të nderit! Me emër i drejtohesh dhe jo Lordi Sauthemptën?
- Vetëm kur s’ka njerëz të tjerë. – Qeshi Uilli. – Tobi, unë jam ende një aktor nga Stretfordi jo shumë i njohur këtu. Eja të pimë një gotë te Koka e Derrit para se të kthehemi në shtëpi.
I tillë qe gjithmonë Uilli. I qetë, dhe aspak mburravec.

Te Koka e Derrit ne takuam disa miq dhe nisëm të diskutonim. Biseda vërtitej rreth murtajës, që po kthehej prapë në Londër.
- A i keni marrë vesh lajmet e fundit? – tha njëri. - Thonë se çdo javë po vdesin më shumë se tridhjetë veta.
- Këshilli i qytetit, - tha një tjetër, - do t’i mbyllë të gjitha teatrot. Kështu veprohet sa herë që bie murtaja në Londër. Ne aktorët do të mbesim të gjithë pa punë.
- Por komedianët mund të shkojnë në turne, apo jo? – Tha Uilli.
- Po, - ia ktheu i pari. – Por vuan shumë. Ndërron qytetin, hotelin, dhe çdo natë jepet një shfaqje tjetër. Unë them të rri në Londër.
Murtaja është kudo e tmerrshme, por jo aq sa në Londër. Në ato rrugë të ngushta, ku shtëpitë janë të ngjitura pranë njëra tjetrës, dhe ujërat e ndotura vërshojnë në mes të rrugës, askush s’gjente shpëtim. Kur murtaja mbërrinte në qytet, ajo e përpinte qytetin si flaka.
Kur murtaja futej në shtëpi, mbylleshin dyert, u vihesh dryni, dhe një kryq i madh i kuq shkruhej mbi portë. S’lejohesh të dilte jashtë asnjë njeri. Duhet të rrije mbyllur dhe të luftoje për jetë a vdekje. Po të kishe para, duhet ta braktisje Londrën sa më parë.
Në shtator të vitit 1592 këshilli i qytetit i mbylli teatrot.



Murtaja është kudo e tmerrshme, por jo aq sa në Londër.

- Uill, a do të shkojmë në turne? - I thashë një ditë. – Ose të kthehemi në Stretford. S’mund të rrimë në Londër.
- Ti kthehu në Stretford, Tobi, - më tha ai shtruar. - Unë do të shkoj ca kohë në shtëpinë e lordit Sauthemptën në Hempshajër. Më ka ftuar vetë. Atje do të vazhdoj të shkruaj, të lexoj libra, dhe do të njihem me njerëz të tjerë.
Unë e vështrova në sy. – Ka disa javë që s’të shoh në rregull. Mos ke rënë në dashuri? – Uilli qeshi, por s’m’u përgjigj.
Deri në qershor 1594 në Londër s’u hap asnjë teatër. Uilli vazhdonte të shkonte te lordi Sauthemptën, rrallëherë bënim me trupën tonë ndonjë turne, dhe kohën tjetër e kalonim në shtëpi në Stretford. Të shumtën e kohës Uilli filloi ta kalonte në Stretford, sepse aty ishte më qetë, dhe mund t’i kushtohej shkrimeve të veta. Ndërkohë unë s’e dija se çfarë opinioni kishte Ana për këto.
Gjatë atyre viteve Uilli shkroi shumë poezi. Mikut të tij, lordit Sauthemptën, ai i kushtoi poemën e tij të bukur e të gjatë Venus dhe Adonis, dhe shkroi shumë nga poezitë e tij të famshme, Sonetet. Ato ai nuk i përfshiu në ndonjë libër, por ia shpërndau për t’i lexuar vetëm miqve të tij.
Një ditë, kur ne ishim kthyer prapë në Londër, unë po lexoja disa nga sonetet e tija të fundit. Uilli kishte dalë diku, dhe unë isha në shtëpinë tonë në Bishëpsgejt. Shumë poema i kushtoheshin një gruaje të tmerrshme, me sy dhe flokë të zinj. Njëherë ajo tregohej e ftohtë dhe e pashpirt/ mizore, herën tjetër e dashur siç ishte në të vërtetë, dhe pastaj prapë ajo bëhej një grua mizore.

Të dija diell që dritë kudo shpërndan,
Por qenke natë sterrë e ferr katran.
Mos e ka fjalën Uilli këtu për veten e tij? – pyeta veten. Dhe cila ishte kjo grua, kjo zonjë e zymtë?
Unë dua t’i marr vesh të gjitha, kështu që fillova të mbaja veshët ngritur, dhe shikoja me kureshtje të gjitha mikeshat e tij.
Kur një ditë unë e pashë. Po hyja në portën e shtëpisë, ndërsa ajo po zbriste shkallët. Kishte flokë të zinj dhe sytë të zinj, e të egërsuar. Mbante vëthë dhe varëse floriri. Unë i hapa rrugën dhe ajo më kaloi pranë si një anije, që ka ngritur velat për në luftë. Ishte e egër, e zemëruar, dhe shumë, shumë e bukur.
-Uf! – bëra me vete. – Po qe se kjo është Zonja e Zymtë e Uillit, ai s’ka për të gëzuar një ditë të bardhë!
Gruaja kishte fizionomi italiane, dhe unë shkova të pyesja Xhon Florion për të. Florio ishte mësuesi i italishtes i lord Sauthemptën. Me të takohesha shpesh këto ditë.
Pasi ia përshkrova atë grua, ai e njohu menjëherë.
Emilia, - tha ai. – Emilia Basano. Ajo tani quhet Emilia Lanier, është e shoqja e Alfonso Lanier. Më parë ajo ka jetuar me shambelanin plak. Kuptohet, s’ishin të martuar. Po përse të intereson kjo, miku im?
- Po të jetë e martuar, atëherë ajo s’duhet të ketë dashnorë.
Florio qeshi me të madhe. – Dashnorë! Ti s’e njeh Emilia Lanierin! Ajo është një grua e keqe, miku im, një grua e keqe. – Dhe më pas foli me zë të shtruar. – Kohë më parë ajo ka qenë mikesha e lordit Sauthemptën. Kurse tani kjo histori është mbyllur.
Unë s’e pyeta për Uillin. A ishte Emilia Lanier zonja e zymtë për të cilën flet Uilli, apo Uilli thjesht po ndihmon mikun e tij, Lordin Sauthemptën? Kjo s’do të merrej vesh kurrë.



6

Vdekje në familje

Pas viteve të murtajës, ne qemë gjithë kohës të zënë. Dolën trupa të tjera teatrale dhe Uilli tani punonte për trupën e lordit shambelan. Lordi shambelan ishte njeri me shumë influencë, ofiqar pranë mbretëreshës, dhe ne shpesh jepnim shfaqje për oborrin mbretëror, dhe në shtëpitë e lordëve të mëdhenj të Anglisë. Në trupë kishim aktorë shumë të mirë. Kishim mbi të gjithë Uillin dhe Rikard Bërbixhin, si dhe Xhon Hemingun. Kishim dhe Agustin Filips, Henri Kondell dhe Tomas Poup. Kishim dhe aktorë të tjerë, por këta të gjashtë ishin kollonat e trupës. Ata punuan bashkë për më shumë se njëzet vjet. Sigurisht, ata bënë dhe shumë para.



Në trupë kishim aktorë shumë të mirë

Te Shambelani unë bëja kostumet dhe rekuizitën. Xhon Heming thoshte se për rekuizitën unë isha më i miri në qytet.
Uilli ishte i veçantë, sepse ai shkruante drama. Dhe ç’drama! Ai s’shkruante dy herë të njëjtën pjesë, siç bënin disa dramaturgë. Ai provonte gjithnjë diçka të ndryshme, të re. Dhe shkruante shpejt.
Xhon Heming s’e kuptonte. – Si arrin të shkruash kaq shpejt, Uill? – e pyeste. Ti nuk gabon dhe nuk i lëviz asnjë presje.
Uilli s’e kuptonte as vetë. – I kam të gjitha në kokë, - thoshte ai. - Sapo më lind një ide, mendimet më vijnë vetë.
Më 1595 ai shkroi një dramë për dashurinë. Ishte një dashuri mes dy të rinjve, Romeos dhe Xhulietës. Ajo dramë ishte e trishtueshme, sepse të dashuruarit vdesin në fund. Por artdashësve u pëlqente. Ato s’ngopeshin duke e parë.
Uilli luante rolin e një plaku kapulet, babain e Xhulietës. Njëri nga aktorët e rinj luajti rolin e Xhulietës. Ne s’kishim aktore, kështu të gjitha pjesët e grave i luanin djemtë. Natyrisht, Uilli s’vinte në skenë akte të vërteta dashurie. Çdo gjë e realizonte me fjalë, me fjalë të mënçura e të bukura, aq sa ti harroje se kishe përpara djem të veshur me fustane vajzash dhe grash. Disa nga këta aktorë ishin vërtetë të mirë, dhe kur rriteshin ata vazhdonin të luanin role meshkujsh.
Atë vit ne e shfaqëm Romeo dhe Xhuljetën në Pallatin Riçmond. Dhe para krishtlindjeve ne luanim gjithmonë para mbretëreshës. Asaj i pëlqente të shihte të gjitha pjesët e reja, dhe për çdo shfaqje në paguante 10 paund. Punonim tërë natën për të përgatitur në kohë skenën, por për ne ishte ngazëllyese që ditën për krishtlindje të ndodheshim në një nga pallatet e mbretëreshës. Atje këndohesh e kërcehesh, kishte për të ngrënë dhe për të pirë. Për shumë vite krishtlindjet fillonin në nëntor dhe s’kishin të sosur, ato zgjatnin deri në shkurt ose në mars.
Viti 1596 filloi mirë, por gjatë verës moti bëri shumë i keq. Ftohtë. Lagështirë. Shiu s’kishte të pushuar, dhe murtaja u kthye përsëri në Londër. Verën ne e kaluam në Stretford, por për disa javë unë zbrita në Hempshajër për të bërë për llogari të Uillit pak tregti me dele. Uilli s’kishte nevojë për mua, sepse ai ishte i zënë në shtëpi me shkrimin e një drame të re, ëndrra e një nate vere.
Në muajin gusht unë u ktheva në Stretford. Ishte një mbrëmje e lagësht. Shtëpia në rrugën Henli kishte rënë çuditërisht në qetësi. Unë hyra nga dera e prapme e shtëpisë dhe u ngjita drejt e te dhoma e Uillit – dhoma e punës siç i thoshim ne. E gjeta ulur … pa bërë asgjë. Veç rrinte.
- Si është puna, Uill? – i thashë. – Ku janë të tjerët?
- Në kishë. – Ishte prishur në fytyrë, dhe shikimin e kishte të vagëlluar, dhe pa jetë.
- Ç’ka ndodhur? – e pyeta. Ç’është?
Ai më vështroi. – Hamnet … - filloi ai. – Javën që shkoi Hamneti u sëmur, dhe … dhe dje ai vdiq. Ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeç, na iku shumë shpejt. Unë vetëm atë djalë kisha. Vdiq, Tobi, vdiq. – Pastaj ai mbuloi fytyrën me duar.
Ç’mund t’i thuash një njeriu që e ka gjetur një mynxyrë e tillë? Zura vend pranë tij dhe i hodha dorën në sup. Qëndruam në heshtje. E dija që Uilli e donte shumë atë fëmijë flokëkuq, i pastër si qelibar dhe plot jetë si i ati.
Pas pak unë i thashë, - ju do të bëheni prapë me djem.
- Ana ka mbushur të dyzetat. – Zëri i Uillit ishte i lodhur. – Qyshkur lindi binjakët, ajo s’bëri më fëmijë.
- Mirë, po ti ke dy vajza të mrekullueshme, Suzanën dhe Xhudit. Shumë shpejt ato do të martohen, dhe ti do të kesh aq nipër sa s’ke për t’i numëruar dot. Ke për të parë. Kalamajtë do të rendin lart e poshtë shkallëve për të kërkuar gjysh Uillin.
Ai buzëqeshi i trishtuar, por sytë iu gjallëruan. Unë vazhdova i kënaqur: Ti ke gjith’ato vëllezër – Zhilberin, Rikardin, Edmondin. Edhe ato do të bëhen me djem. Fisi i Shekspirëve nuk do të shuhet. Mendo për familjen, Uill, për familjen tënde!
Ai bënte shumë kujdes. Tashmë ai ishte bërë një poet dhe dramaturg i famshëm, por ai ishte dhe një njeri familjar. Pas një viti ai bleu një shtëpi të re.

Ishte një ndërtesë e madhe, madhështore që ndodhej mu në qendër të Stretfordit. Quhej Sheshi i Ri.
Ajo kushtoi 60 paund - goxha para – dhe banorët filluan ta quanin ‘jo si më parë djaloshi Uill, aktori’ apo ‘djali i Xhon Shekspirit’, por z. Shekspir. Ishin të lumtur sa herë që bënin tregti apo i kërkonin ndonjë hua.
Ana u gëzua shumë për shtëpinë e re. Në Stretford, e shoqja e z. Shekspir e Sheshit të Ri ishte bërë një zonjë e rëndësishme. Por asaj prapë s’i pëlqente puna e Uillit.
- Aktorët janë njerëz të egër, të rrezikshëm, - i thoshte ajo shpesh. – Mua s’më interesojnë shfaqjet dhe teatri, dhe s’dua të dëgjoj për punën tënde.
Por asaj i pëlqenin paratë, shtëpia e re, fustanet e reja – si dhe gjashtë ngastrat me mollë dhe ferma e madhe që ato blenë pak vite më vonë në veri të Stretfordit.
Uilli s’e zinte më shpesh Hamnetin me gojë. Jeta vazhdoi rrjedhën e saj dhe Uilli qe i zënë me punë më shumë se kurrë ndonjëherë.. Por unë e ndjeja se hidhërimi i tij ishte shumë i thellë dhe atij i shkonte shpesh mendja tek ai. Një a dy vjet më vonë, unë po flisja me Xhon Heming për kostumet për shfaqjen e re Mbreti Xhon të Uillit. Xhon Heming ishte një njeri familjar – ai pati katërmbëdhjetë fëmijë. Dhe çfarë zhurme bëhej në shtëpinë e tij! Dikush bërtiste, një tjetër qeshte, disa hynin e të tjerë dilnin …
Xhoni po shikonte repertorin. – Pa shiko këtu, Tobi, - më tha. – Uilli sikur shkruan për djalin, apo jo?
Unë e lexova me ngadalë, dhe m’u kujtua shikimi i vagëlluar i Uillit atë ditë gushti.

Hidhërimi mbush dhomën e djalit tim që s’rron më,
Ulet mbi shtrat me fytyrën e bukur
Më shoqëron nëpër dhomë, dhe përsërit fjalët e tij …

Një ditë Rikard Bërbixh më tha se pas vdekjes së Hamnetit stili i Uillit kishte ndryshuar. Në dramat e tij Uilli vazhdonte të qeshte me njerëzit, por atij i vinte edhe keq për ta – i vinte keq për të gjithë njerëzinë, të mirë e të liq, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar. Personazhet e tij ishin realë. Asnjeri prej tyre nuk ishte vetëm i mirë, ose vetëm i keq.
Në komedinë e tij Tregtari i Venedikut një njeri quhej Shajlok. Ky Shajloku ishte një fajdexhi i pashpirt – të gjithë e urrenin. Por në fund, kur Shajloku humbi gjithçka, u kthye në një plak i dëshpëruar, të cilin njerëzit e mëshironin.
Mbase Rikardi kishte të drejtë. Dhe njeriu që e kuptonte më mirë Uillin qe Rikard Bërbixh.



7

Mbretëreshë, mbretër dhe princër

Çdo vit për krishtlindje ne zumë të shfaqim në pallatin mbretëror përherë e më shumë shfaqje. Një nga pjesët e Uillit e vitit 1958 qe Henri IV. Në këtë pjesë flitej shumë për birin e mbretit dhe mikun e tij, z. Xhon Falstaf. Z. Xhon ishte nja plak trashaluq, përtac e pijanec, që fliste shumë e i bënte të gjithë për të qeshur. Ai të bënte ta doje me zor dhe u bë një nga personazhet më të dashura për shikuesit e Londrës. Në atë kohë filluan të qarkullonin dhe shumë barceleta të Falstafit.
Pas shfaqjes mbretëresha kërkoi të flasë me Uillin.
- Përse? Çfarë kemi bërë? – më tha Xhon Heming krejt i qetë.
- Do ta mësojmë shumë shpejt, - ia ktheva unë.
E ndoqëm me sy Uillin tek iu drejtua vendit ku ishte ulur mbretëresha. Ajo kishte vënë në kokë paruke dhe dhëmbët i kishte të krimbura. Por ajo mbahej akoma një mbretëreshë e madhe. Dhe po qe se ajo nuk mbetej e kënaqur ….
Ajo kishte një zë të mirë e të kumbueshëm – një zë aktori. Ne ia dëgjonim të gjitha fjalët.

-Z. Shekspir, - filloi ajo. Pastaj ajo vuri buzën në gaz, dhe aty ti e kuptoje përse anglezët e donin mbretëreshën. Ajo ishte si një diell që del në mëngjezin e pranverës.
- Z. Shekspir, ju jeni dramaturgu më i mirë i Anglisë. Shfaqja juaj më pëlqeu shumë, z. Xhon Falstaf të bën për të qeshur. Unë kam njohur shumë anglezë të tillë. A do të shkruash diçka të re për mua? Unë dua ta shoh z. Xhon në dashuri.
Kur u kthye tek ne Uillit i ndrisnin sytë, ai kishte filluar të mendonte për shfaqjen e re.
- Mos më luani, - tha ai. – Më duhet të shkruaj.
Ai e shkroi dramën në dy javë, dhe më 20 shkurt ne e vumë në skenë para mbretëreshës në Pallatin Riçmond. Kur e pa shfaqjen Gratë e lumtura të Uinsdorit ajo i mbajti ijet me dorë nga të qeshurit.
Më 1599 asaj mbretëreshës s’i qeshte buza. Asaj i ishin hapur shumë telashe në Irlandë, atje ajo nisi për në luftë kontin e Eseksit me 20.000 burra. Dhe miku i Uillit, lordi Sauthemptën u bashkua me të. Atë verë Uilli shkroi për luftën një dramë elektrizuese, duke zënë në gojë dy a tri herë Irlandën. Në të flitej për Henrin e V-të, një mbret i famshëm anglez i cili bëri luftë në Francë.
Por Eseks nuk ishte Henri i V-të. Ai s’dinte të luftonte, dhe nuk zgjati shumë dhe ai ia mbathi e këmbët s’i zunë dhè sa mbërriti në Angli. Atij njeriu mbretëresha s’i foli më.
Në muajin shtator ne hapëm teatrin Globi. Ishte një ndërtesë e re, e madhe mu pranë teatrit Rouz. Uilli, Rikard Bërbixh dhe ca të tjerë e blenë me paratë e tyre. Ajo ishte ndërtesa teatrore më e bukur dhe u bë shpejt teatri më i dëgjuar në Londër. Edhe kompanitë e tjera kishin teatro dhe aktorë të mirë, por ne kishim Rikard Bërbixhin e famshëm dhe dramat më të mira.



Në muajin shtator ne hapëm teatrin Globi.

Një vit më vonë ne vumë në skenë tre pjesë të tjera të Uillit, dhe disa drama të autorëve të tjerë. Një nga dramaturgët e rinj ishte Ben Xhonson. Ai ishte i zgjuar dhe shkruante drama me humor, por njerëzve u pëlqenin më shumë shfaqjet e Uillit. Beni s’e kuptonte psenë dhe grindej gjithnjë me Uillin se si duhej shkruar një dramë. Ai ngatërrohesh me të gjithë. Njëherë e futën në burg sepse vrau dikë në duel. Ishte tetë vjet më i ri se Uilli, por të dy ishin shokë shumë të mirë.
Drama tjetër e Uillit qe Hamleti, princi i Danimarkës. Një ditë ne u mblodhëm të gjithë bashkë te Koka e Derrit për të diskutuar rreth saj. Ishim të gjashtë, unë dhe Uilli, Rikard Bërbixh, Henri Kondell, Xhon Heming, dhe Agustin Filips.
Uilli lëshoi tufën e letrave mbi tavolinë dhe u zuri vend.
- Mirë pra, - tha ai. - Të gjithë e keni lexuar. Çfarë keni për të thënë?
- është shumë e mirë, - filloi Xhon Heming, - por shumë e gjatë. Shfaqja do të zgjasë katër orë.
- S’kemi pse ta shfaqim të plotë, - tha Uilli. - Mund ta shkurtojmë në tre orë, ndoshta dy e gjysmë.
Henri Kondell mori njërën nga fletët mbi tavolinë. – Shikoni pak se si flet Ofelia këtu për Hamletin, - u tha ai. – Hamleti më ngjan me dukën e Eseksit. Atë ke patur parasysh kur e shkrove?
Uilli vuri buzën në gaz. – Mundet, - tha ai. – Dhe s’mundet.
- Rikardi do të luajë rolin e princit Hamlet, apo jo? – pyeti Agustini.
- Natyrisht! – tha Uilli. - Këtë rol e kam shkruar për të. Ai është aktori ynë më i madh. Unë do të luaj fantazmën e babait të Hamletit. – Dhe ai më vështroi mua. - Hamletin do ta veshësh me të zeza, kurse Ofelinë me të bardha.
Henri mbaroi birrën e vet. – është një histori e bukur me role të mira për secilin nga ne, Uill. Por a do t’u pëlqejë shikuesve? Ngjarja zhvillohet shumë ngadalë, kurse atyre u pëlqen që veprimi të rrjedhë shpejt dhe princi magjepsës Hamlet ta mësojë sa më shpejt se është xhaxhai i tij Klaudi ai që e vrau babain e tij. Kurse ai për një kohë të gjatë s’ndërmerr asnjë veprim. Ai veç flet dhe në fund në një mënyrë a një tjetër të gjithë vdesin njëri pas tjetrit.
Por Agustini nuk mendonte ashtu. – Ti s’e ke kuptuar dramën, Henri. Ajo është intriguese, shumë intriguese. Drama zhvillohet brenda vetë Hamletit. Ai don ta vrasë xhaxhain, por s’mundet. Të vrasësh s’është mirë. Por për hatër të babait ai duhet ta vrasë. Ne të gjithë e kuptojmë se çfarë ndjen ai.
Gjatë gjithë kësaj kohe Rikard Bërbixh qëndroi i heshtur. Ai po lexonte edhe një herë disa pjesë të dramës. Uli fletën mbi tavolinë dhe ngriti kokën. Sytë i shkëlqenin, ishte i ngazëllyer.
A i keni vënë veshin gjuhës së kësaj pjese? Kjo është drama më e bukur deri më sot, Uill – më e mira nga të gjitha. Vetëm të dëgjoni gjuhën e saj, një poezi! - Ai u çua në këmbë dhe zëri i tij i bukur mbushi tërë dhomën.



Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja …

Ne rrinim ulur dhe të heshtur dëgjonim se si ai zë i mrekullueshëm u jepte fjalëve jetë. Uilli e ndiqte me sy dhe qeshte. Ai e dinte se Rikardi, njëlloj si ai ishte i dashuruar pas fjalëve.

… Të vdeç – të flesh; Të flesh?
E ndofta t’ëndërosh! Ah, këtu ngec;
Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë – vdekje,
Pasi na shkundet kjo pështjell’ e mortme,
Kjo frikë na qëndron;

Dhe vërtetë, Rikard Bërbixh pati të drejtë. Mjerëzit e pëlqyen dramën, ata e pëlqyen Bërbixhin në rolin e Hamletit, ato derdhën lot për vdekjen e Ofelisë së gjorë, dhe kërkuan me britma vdekjen e katilit Klaudi. Mendoj se ajo ka qenë pjesa më e famshme e Uillit.



8

Një mbret skocez për Anglinë

Në shtator 1601 vdiq babai i Uillit. Në vitet e fundit të jetës së tij Xhon Shekspiri ishte një njeri i lumtur. Djali i tij ishte bërë i famshëm, dhe familja Shekspir ishte përsëri në zë. Por familja kishte shumë fëmijë. Motra e Uillit u martua dhe pati një djalë, ndërsa vëllezërit e Uillit nuk bënë fëmijë. Vajza e madhe e Uillit, Suzana kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç dhe Uilli i tha një ditë:
- Ka ardhur koha të të gjejmë një burrë, Suzana.
Por ajo kundërshtoi me kokë. – Faleminderit baba, por unë s’dua të martohem.
Ne të gjithë qeshëm, sepse e dinim që në Sheshin e Ri vinte shpesh si vizitor një djalë i ri, që Uillit i pëlqente. Ai ishte Xhon Holl, një doktor i ri dhe i shkathët.
Në Londër teatrot mbusheshin gjithnjë me shikues, dhe aktorët qenë bërë njerëz të rëndësishëm në qytet. Bashkë me Uillin kishim gjetur dhoma të mrekullueshme te familja Mauntxhoj në Silver Strit. Globit dhe trupës Lordi Shambërlen po u ecnin punët shumë mirë, dhe aktorët veteranë të kompanisë po bënin para, blenë shtëpi dhe tokë. Por për disa aktorët mbeteshin akoma njerëz të liq e të rrezikshëm.
Më pas, më 24 mars 1603, vdiq në Riçmond mbretëresha Elizabet. Më kujtohet fare mirë ajo ditë. Teatrot u mbyllën – ditën kur ndërron jetë një mbretëreshë nuk jepen shfaqje – dhe ne të gjithë kishim shkuar në shtëpinë e Henri Konduell. Ai dhe Xhon Heming jetonin po në Kripëllgejt, që ndodhej shumë pranë shtëpisë sonë.
Ne ishim të gjithë shumë të shqetësuar. Mbreti i ri i Anglisë u bë Xhejmsi i Parë. Ai ishte mbret i Skocisë, kishte një grua të re, mbretëreshën Anë të Danimarkës si dhe tre fëmijë. Por ç’njeri ishte? A do të bëhej një mbret i mirë? Dhe, ajo që kishte më rëndësi, a do t’i pëlqente ai shfaqjet?
- Po qe se mbreti nuk e pëlqen teatrin, - tha Henri Konduell, - ne mbaruam. Në këshillin e qytetit të Londrës ka shumë puritanë, të cilët mezi presin t’i mbyllin teatrot.
Henrit i shkonte gjithnjë mendja për të keq.
- Sidoqoftë, ai ka shkruar mjaft libra, - tha Uilli. – Ndoshta edhe ai do të tregojë interes për dramat. Neve s’na mbetet veçse të presim e të shohim.
Dhe s’u desh të pritnim gjatë. Më 19 maj unë isha nën skenën e Globit. Po përpiqesha të riparoja aty një derë të prishur. E përdornim kur ndonjë fantazmë duhej të hynte apo të dilte mes një shtëllunge të madhe tymi. Befas, mbi skenë unë dëgjova këmbë. Unë vështrova lart përmes gropës, dhe pashë Uillin, Xhon Heming dhe Rikard Bërbixhin. Ata ishin që të tre të elektrizuar.

E përdornim kur ndonjë fantazmë duhej të hynte
apo të dilte mes një shtëllunge të madhe tymi

- Dëgjo këtu, Tobi, - i tha Uilli. Ai kishte një letër në dorë. – Sot kemi marrë një letër nga mbreti Xhejms! Që sot e tutje, ne do të jemi Trupa e Mbretit! Do të punojmë për mbretin, ai kërkon t’i shohë të gjitha shfaqjet.
- Kur të hyjmë në pallatin mbretëror ne duhet të jemi të veshur me xhaketa të kuqe, - tha Rikardi.
- Për çdo shfaqje ai do të na japë 20 paund, - vazhdoi Xhoni. Si thua, Tobi?
Ne të gjithë zumë të qeshim me buzët vesh më vesh. – Mirë, Xhon, - i thashë. Kur ne qenkemi kaq të pasur, a ta ble dhe unë një derë të re, sepse s’e ndreqkam dot këtë vjetërsirë.
Atë verë murtaja u shfaq prapë. Në korrik vdisnin çdo javë një mijë njerëz. Një prej tyre qe edhe djali i vogël i Ben Xhonson, mikut të Uillit. Deri aty nga fundi i vitit në Angli pati 33, 000 të vdekur. Teatrot u mbyllën, dhe Trupa e mbretit filloi një turne.
Unë e kalova atë verë bashkë me Uillin në Stretford. Kur erdhën krishtlindjet, Trupa e Mbretit shfaqi shumë pjesë në oborrin mbretëror. Atë vit mbreti rrinte në pallatin mbretëror Hempton, që ndodhej mjaft larg Londrës. Unë s’munda të shkoj pasi një ditë rashë nga kali dhe theva këmbën. Ç’budallallëk! M’u desh të qëndroj në shtëpi, por Uilli kur u kthye m’i tregoi të gjitha.
- Mbreti i ri dhe mbretëresha duan të argëtohen, Tobi, - më tha. - Ato janë një familje e lumtur. Princi Henri ka bërë nëntë vjeç, dhe është një djalë i mrekullueshëm, kurse motra e tij, Elizabeta e vogël, është një vajzë e bukur. Princi i vogël Çarls sapo ka mbushur dy vjeç. – Ai s’foli për një çast. Ndoshta iu kujtua Hamneti. Më pas ai vazhdoi, - Mbretëreshës Anë i pëlqejnë shumë shfaqjet. Asaj i pëlqejnë edhe muzika dhe vallëzimi – gjatë një kërcimi ajo tregoi dhe kërcinjtë e saj!
- Sa çudi! – i thashë. – Në kohën e Elizabetës nuk ngjisnin gjëra të tilla.
- Jemi në një kohë tjetër, Tobi. Shumë gjëra kanë për të ndryshuar.

Por ndryshimet vijnë gjithmonë ngadalë. Sukseset e Trupës së Mbretit pasonin njëri – tjetrin. Ndër njëzet e dy pjesët që u shfaqën gjatë krishtlindjeve të vitit 1604 në oborrin mbretëror, tetë prej tyre ishin të Uillit. Në vitin 1605 në pallat u shfaqën trembëdhjetë pjesë dhe dhjetë prej tyre qenë të Uillit.
Gjithmonë, përpara se t’i bënim shfaqje në oborrin mbretëror, ne i shfaqnim pjesët te Globi. Uilli tani shkruante më avash, por gjatë këtyre viteve ai shkroi disa nga dramat e tij më të bukura: Otellon, Makbethin, dhe Mbretin Lir. Ajo ishte një dramë e zymtë, e trishtueshme. Kur mbreti Lir dilte në skenë me vajzën e tij të vdekur në krahë, Kordelian … Eh, në Glob të gjithë, burra, gra dhe fëmijë shpërthenin në vaj. Kjo është e vërtetë. Kuptohet, që Lirin e luante Rikard Bërbixh. Çfarë aktori!



9

Taverna Sirena

Murtaja na ndoqi edhe mjaft vite të tjera. Disa herë qe shumë e tmerrshme, herë të tjera jo dhe aq. Kur në Londër mbylleshin teatrot, trupa e Mbretit nisesh për në turne, kurse unë me Uillin gjatë verës qëndronim më shumë në Stretford. Uilli shkruante, ndërsa unë sa herë që më jepej mundësia i mbaroja ndonjë punë.
Në qershor të vitit 1607 Suzana u martua me Dr. Xhon Holl, dhe në shkurt të vitit tjetër lindi Elizabeta, mbesa e Uillit. Atë vit bëri një dimër shumë i ftohtë.

Lumi Temiz në Londër ngriu deri në Uestminster. Njerëzit e festuan duke pjekur qingja mbi akull. Atë dimër vdiq vëllai i Uillit, Edmundi. Ai ishte vetëm njëzet e shtatë vjeç. Ndërsa në shtator të vitit tjetër ndërroi jetë dhe nëna e tij.
Dramat që Uilli shkruante tani kishin një frymë tjetër. Xhon Heming thoshte se dramat e tij ishin të zymta e mizore, dhe se Uilli po shihte vetëm anën e zezë të gjërave. Por kjo ishte natyra e Uillit. Ai ishte gjithë kohës në lëvizje, provonte forma të reja në poezinë dhe dramën e tij. Dhe papritur lindi një dramë e këndshme, plot hare, lule pranvere dhe dashuri: Një përrallë dimri.
Kur ndodheshim në Londër, ne shkonim mbrëmjeve në tavernën Sirena në Çipsajd. Ishte një bujtinë shumë e mirë, ku mbanin birrë të mirë. Atje shkonin të gjithë shkrimtarët dhe poetët londinezë.
Një mbrëmje ne shkuam atje, ishte më duket dimri i vitit 1610. Aty gjetëm mjaft miq të Uillit – shkrimtarë dhe aktorë. Kuptohet, aty ishte dhe Ben Xhonson, një sarhosh i madh. Ai shkruante shumë dhe veprat e tij kërkoheshin. Por ai s’i mbetej asnjë dyshkë në xhep dhe ishte gjithnjë Uilli ai që paguante për birrën e tij.
Filluam të flisnim për mbretin Xhejms dhe oborrtarët e tij. Ai na kishte dalë nga zemra, sepse ai tani ishte më shumë i dhënë pas kuajve se sa pas shfaqjeve. Më pas, Benit iu kujtua diçka te ‘Një përrallë dimri.’ Ai e pranonte se dramat e Uillit ishin më të mirat, por gjithnjë kishte qejf t’i gjente ndonjë gabim.
‘Pa na thuaj, Uill, përse e vendose Boheminë në breg të detit? – i tha ai. - Bohemia është në kërthizë të Evropës! Aty detin s’e sheh as qindra milje larg, more budalla!
- Pjesët e tua janë shumë të goditura, Ben – i tha Rikard Bërbixh, - por atyre u vjen era tekste shkollash, apo jo Uill?
Uilli vuri buzën në gaz. – E kush e vret mendjen për këto gjëra, Ben? A prish ndonjë punë? Në oborrin mbretëror të gjithë e pëlqyen shfaqjen. Mbreti dhe mbretëresha thanë se pjesa ishte shumë e bukur.
- Mbreti! – ngriti zërin Beni. Ai u skuq në fytyrë nga zemërimi. Ndonjëherë, gjatë shfaqjeve të Benit mbretit i vinte gjumë. – Mbreti, - vazhdoi ai i tendosur, - është një tutkun! Ia kam thënë në surrat. – Zotëri, ju s’merrni vesh nga poezia!
Xhon Heming qeshi. Oh ç’vete këtu! – tha ai. – Sa i tmerrshëm je, Ben! Çuditem se si ke shpëtuar gjallë deri tani!
Edhe Uilli qeshi, por i tha, - Ben, ti duhet të bësh kujdes. S’besoj se ke dëshirë të armiqësohesh me mbretin. Mos harro se ai na paguan dy herë më shumë se mbretëresha Elizabetë – dhe vjen më shpesh në shfaqje.
- Para? – bërtiti Beni. Atij i pëlqente të kundërshtonte çdo gjë. – Ne jemi poetë dhe aktorë, jo tregtarë! Ç’hyn këtu paraja?
- Të mbush barkun me bukë, dhe të mbulon me gunë, - i tha Uilli, duke pirë birrën. – Dhe ti je i pari që bërtet kur mbetesh pa një lek në xhep.
Beni përplasi gotën e birrës mbi tavolinë. – Dëgjo këtu, z. Uilliam Shekspir nga Stretfordi, me goxha shtëpi dhe kuaj të shtrenjtë, ti vetë shkrove te Mbreti Lir se paraja…
- Na lini rehat ju të dy! – u tha Xhon Heming. Ai u kthye të vazhdonte bisedën me mua, por pas pak Beni filloi të bënte sherr për një dramë tjetër të Uillit.
- Po te Antoni dhe Kleopatra? Çfarë vepre është ajo? S’e merr vesh se ku je! Tani je në Egjipt, një minutë më vonë gjendesh në Romë, pastaj ke hipur në një anije, e më pas je kthyer prapë në Egjipt.
Rikardit s’po i pëlqente ky muhabet. – Prapë po gabon, Ben. Ti nuk din të ndjekësh shfaqje. Ç’kujton ti, se londonezët janë injorantë? Ata dinë pak më shumë se ti! Dhe një gjë tjetër …

Unë vendosa të kthehem në shtëpi. Beni është njeri i mrekullueshëm, por ai flet shumë. Nuk i pushon goja. Kur u çova për të ikur, ai kërkoi birrë tjetër. E pashë se ata do të rrinin gjatë te Sirena atë natë.



10

Përsëri në Stretford

- Po të bien flokët, Uill, - i thashë një ditë.
- Të dyve po na troket pleqëria, Tobi – më tha. S’i shpëtojmë dot. Jemi të plakur e të lodhur.
- Mos fol ashtu, - i thashë. - Ti je vetëm dyzet e shtatë vjeç. Je akoma plot jetë dhe do të shkruash dhe nja njëzet drama të tjera!
- Jo, - më tha me ngadalë. - Jo, më duket se muza po më shuhet. Jam lodhur, Tobi. Kam nevojë për pushim. Më duket se ‘Stuhia’ do të jetë drama ime e fundit. Do t’i them lamtumirë skenës. Kohët po ndryshojnë, dhe njerëzit kërkojnë një tjetër lloj shfaqjeje. Tani kanë dalë mjaft shkrimtarë të rinj, të cilët dinë si t’i dëfrejnë shikuesit. Unë s’jam më i kohës.
Ai kurrë s’kishte folur kështu dhe mua s’më erdhi mirë.
- Uilliam Shekspir ka vetëm një, - i thashë, - dhe ai do të jetë kurdoherë modern. Tani më duhet të çohem. Do të dal për të blerë copë për kostumet e reja të ‘Stuhisë.’ Përse i ke vendosur në një ishull? Kur anija mbytet, aktorët duhet të dalin në skenë me rrobe të lagura. U duhet një ditë për t’u tharë, kështu që duhen dy palë veshje për secilin – të lagura dhe të thata!
Ai u gjallërua. – Ti sikur s’din të lexosh? – më tha i nxehur. - Po të ndjekësh fjalët e Gonzalos në aktin e dytë, Tobi, ti do ta kuptosh se bëhet fjalë për një ishull magjik ku rrobat rrinë gjithë kohës të thara. Kështu që ato kanë nevojë vetëm për një palë.
Mua më erdhi për të qeshur, dhe më pas qeshi dhe ai.
Por ai kishte të drejtë. Ai ishte i lodhur, këtë e kuptoja edhe unë, por e kishin kuptuar edhe të tjerë. Por kompania teatrale priste drama të reja, sepse ne ishim bërë me dy teatro. Kishim Globin, dhe tani ishte shtuar teatri Domenikanët. Globi ishte një teatër i hapur dhe shfaqjet jepeshin ditën, kurse Domenikanët ishte një ndërtesë e mbuluar. Aty mund të shfaqnim pjesë në mbrëmje dhe në mot të keq. Ai na siguronte më shumë të ardhura sepse çdo shikues kishte vendin e tij për të cilin ai paguante një shilingë. Te Globi shikuesi paguesh një qindarkë për të ndjekur shfaqjen në këmbë.
Në shkurt të vitit 1612 vdiq në Londër vëllai i Uillit, Zhilberti, dhe një vit më vonë në Stretford vdiq vëllai tjetër, Rikardi. Edhe kjo vdekje ndodhi në muajin shkurt. Uilli ishte më i madhi ndër vëllezër, dhe tani kishte mbetur vetëm ai. Ato ditë neve na u desh të rrinim gjithë kohës në Stretford. Uilli s’luante më në shfaqje. Kuptohet, ai shkonte në provat e pjesëve të reja, por ishte gjithmonë i lumtur kur kthehej në shtëpi.


Në pranverën e vitit 1613 kur ne po ktheheshim me kalë për në Stretford ndaluam për të kaluar natën në bujtinën Kroun në Oksford. Uilli e kishte mik çifligarin Xhon Dejvnënt dhe gruan e tij, Xhejn. Te nesërmen, kur ne u larguam, djali i tyre i vogël Uilliam erdhi me vrap për ta përcjellë mikun e vet të mirë, z. Shekspir. Ai ishte një djalë i shkëlqyer, aty rreth shtatë vjeç, kishte po atë ngjyrë të flokëve dhe të syve si të Uillit. Uilli u ndal për pak çaste me të, dhe i dhuroi një peni.
Më vonë, kur ne po kalëronim rrugës, i thashë, - Herën e fundit kur qemë në Oksford, unë dëgjova fjalë në qytet sikur ti je babai i djalit të Dejvnëntit.
Uilli qeshi. – Mirë, mirë, - tha ai, - kështu fliskan? Kushedi se ç’gjepura të tjera do të thonë më pas.
- Xhejn është një grua e lezetshme. – Unë e pashë me bisht të syrit. - Apo jo?
- Lëri ato, Tobi. Ti e din se Xhejn është grua e mirë. – Ai vazhdonte të qeshte.- Ti s’duhet t’u vesh veshin përrallave të tilla.
Unë s’i besoja as vetë këtyre fjalëve. Por shumë vite pasi Uilli kishte ndërruar jetë, Uilliam Dejvnënt tregonte vetë se ai ishte djali i Shekspirit. Por si e kishte marrë vesh? Nëna e tij s’do guxonte t’ia thoshte!


Kur mbërriti në shtëpi Uill u gëzua që po shihte vajzat e tij, Xhon Hollin dhe Elizabetën e vogël, e cila ishte në atë kohë vetëm pesë vjeçe. Them se ai ishte i gëzuar që shihte Anën. Ai s’këmbente shumë fjalë me të, as ajo. Por pas tridhjetë vjet martesë, janë thënë të gjitha, si thoni?
Sipas mendimit tim Xhudit ishte vajza e pleqërisë për Uillin. Suzana ishte më e shkëlqyer dhe më e zgjuar, por Xhudit ishte binjake me Hamnetin, dhe i ngjallte ende kujtimin e/ i nxirrte mallin e djalit. Ai e kishte dëshëruar një djalë, e priste një nipçe, por deri tani Xhudit kishte mbushur njëzet e tetë vjet, dhe s’ishte martuar ende. Por Uilli nuk e nxiste. Ajo duhet të gjente burrë për të qenë.
Uilli punoi shumë gjatë gjithë jetës së tij, dhe për mendimin tim ai e bëri këtë për familjen e vet. Më kujtohen disa vargje nga pjesa e tij Stuhia, kur Prospero i drejtohet me fjalë vajzës së tij, Mirandës.

S’kam bërë tjetër veç të kujdesem për ty,
Për ty, e shtrenjta ime, bija ime …



11

Vitet e fundit

Në të vërtetë, Uilli shkroi edhe një dramë tjetër. Kjo qe Henri VIII, të cilën ai e shkroi me rastin e martesës të bijës së mbretit, princeshës Elizabetë. Në një ditë të veçantë si kjo Trupa e Mbretit duhet të kishte gati një shfaqje të re.
Provat u bënë te Globi në Londër, dhe aktorët e vunë shfaqjen e re për herë të parë në skenë më 29 qershor 1613. Atë ditë ndodhi diçka që s’më shqitet lehtë nga mendtë.. Sapo filloi shfaqja Rikard Bërbixh që ishte në skenë ngriti befas sytë lart dhe fjala i mbeti përgjysmë.
- Zjarr! – bërtiti ai. – Ka rënë zjarr në teatër!


Ndërtesat prej druri shkërmoqen shpejt nga zjarri, dhe Henri Kondell klithi me të madhe, - Dilni të gjithë jashtë! Shpejt!
Turma e shikuesve u turr me vrap dhe mua m’u desh t’i hap dyert një e nga një. Tani ne mund të dallonim tymin, kur Xhon Heming i thirri Uillit, - Tekstet e dramave! Duhet të shpëtojmë tekstet!
Të gjithë arritën të dalin jashtë dhe shpëtuan pa u lënduar. Njërit i morri xhaketa flakë por miku i tij e shoi me një shishe birre.
Brenda një ore i tërë Globi u shkrumbëzua i tëri në tokë. I gjori plak Xhon Heming, kishte mbetur në këmbë i përlotur.
Por teatri nuk shkretohet dot. Pas një vit mbi të njëjtin vend u ngrit Globi i ri. Më i madh dhe më i mirë se i pari. Njerëzit thonin se ajo ishte ndërtesa më e madhe në Angli për shfaqje.
Vitet e fundit ne nuk shkonim shpesh në Londër. Uilli jetonte i lumtur pranë familjes në Stretford. Ai e kalonte kohën në kopështin e tij, takohesh e bisedonte me miqtë e vet, dhe gjente kohë të luante me mbesën Elizabetë. Ai rilexonte dramat e veta, dhe bashkë ne kujtonim duke qeshur kohët e para.
Në shkurt të vitit 1616 u martua Xhudit. Ajo kishte mbushur tridhjet e një vjeç, dhe mori për burrë Tomas Kuinin, një njëzet e gjashtë vjeçar. Uilli s’e pati me qejf këtë martesë.
- Xhudit e dashuron, - më thosh me qetësi. Por s’e di se ç’ka në zemër ai. Kam frikë se ajo bëri gabim.
Ai kishte të drejtë. Uilli i njihte kollaj njerëzit. Tomas Kuini ishte dembel, pinte shumë dhe shkonte me gra të tjera.
Por Uilli s’rrojti edhe më që t’i shihte me sytë e tij këto. Në muajin mars ai shkoi në një mbrëmje në tavernën Sirena në Londër. Në këtë kohë dramaturgu i oborrit mbretëror ishte Ben Xhonson. Si çdo vit, mbreti Xhejms i kishte dhënë ca para dhe Beni donte të organizonte një mbrëmje për miqtë e vet.

Siç mësova më vonë, mbrëmja kishte kaluar shumë mirë. Por Uillin e kishin mbërthyer ethet dhe kur u kthye në shtëpi atë e zuri gjatë rrugës një shi i ftohtë pranvere. Kur mbërriti te Sheshi i Ri ai nuk ndjehej mirë.
Ai vdiq më 23 prill të vitit 1616.


Trupin e tij e vendosën në kishën Trinitetit të Shenjtë pranë bregut të lumit Avon. E kujtoj si sot, ishte një ditë plot diell dhe me erë. Nga Londra erdhi në kishë dhe Ben Xhonson dhe qau për të. Ben ishte një njeri i ashpër, ai hahej gjithnjë me të për dramat dhe poezinë. Por ai e donte mikun e tij. Kur dolëm nga kisha ai m’u afrua.
- Tobi, më tha. – Uilli ishte një njeri shumë i mirë, dhe unë e doja vërtet. Ne s’kemi për të patur më një poet si ai në Angli.



12

Anglia do ta kujtojë gjithmonë

Të gjitha këto kanë ndodhur tridhjet e tre vjet më parë. Tani unë jam plakur, dhe mjaft të tjerë po shkojnë në atë botë. Më 1623 vdiq An Shekspir, ndërsa dymbëdhjetë vjet më vonë duke luftuar me murtajën vdiq dhe Xhon Holl. Rrojnë akoma Suzana dhe Xhudit. Ajo pati tre djem, por të gjithë i vdiqën. Kështu që në familjen e Uillit s’mbeti asnjë djalë që të ruante mbiemrin e të gjorit Uill. E bija e Suzanës, Elizabeta, ka mbushur dyzet e një vjet dhe s’ka fëmijë… Ndonjëherë Suzana vjen të më shohë, dhe ne bisedojmë për vitet e shkuara.


Ne rrojmë ditë të këqia, janarin e kaluar puritanët i prenë kokën mbretit Çarls. Por një ditë ne do të kemi përsëri mbretin tonë. Atë ditë ne do ta festojmë me këngë, valle dhe shfaqje.
Keni për ta parë. Posi jo. Njerëzit nuk do ta harrojnë kurrë Uilliam Shekspirin. Edhe pas 400 vjetësh teatrot do të jenë akoma të mbushura plot. Në shfaqjet e tij njerëzit prapë do të qeshin e do të qajnë. Ai ishte poeti më i mrekullueshëm që ka shkruar në gjuhën angleze. Mendoj se për këtë ai ishte edhe vetë i ndërgjegjshëm. Me sa më kujtohet, ai thotë në disa vargje të soneteve të tij ….

Mermeri dhe monumentet e praruara të princërve
Këtyre vargjeve të fuqishme s’ia u kalojnë dot kurrë …


PËR SHEKSPIRIN SOT
Pothuaj 400 vjetësh pas vdekjes së Uilliam Shekspirit, dramat dhe poezia e tij pëlqehen akoma. Çdo vit dalin libra të rinj rreth jetës dhe veprës së tij; Kompania Mbretërore Shekspir luan dramat e tij në teatrot e Stretfordit, Londër dhe qytete të tjera të vendit; dhe vazhdimisht dalin versione të reja në radio, televizion dhe në film. Mbështetur në idenë e aktorit dhe regjizorit amerikan Sem Uonëmejkër më 1997 u hap nga Elizabeta e II në Sauthuork të Londrës teatri i ri Globi. Teatri i ri, njëlloj si teatri i Shekspirit është i pambuluar, ka një formë rrethor dhe është ndërtuar me dru lisi. Ai është ngritur 200 metra larg vendit ku qëndronte Globi i Shekspirit. Shfaqjet bëhen gjatë ditës dhe një pjesë e shikuesve ndjekin shfaqjen në këmbë në platenë e teatrit njëlloj siç bëhesh edhe 400 vjet më parë.
Dramat e Shekspirit shfaqen në të gjithë botën, dhe në gjini të ndryshme. Jepen opera italiane dhe komedi muzikore amerikane. Rrëfimi i Perëndimit është ndërtuar mbi Romeo dhe Xhuljetën. Janë bërë shumë filma të famshëm, duke përfshirë këtu një Hamlet rus dhe një Mbret Lir japonez. Më 1999 një film i titulluar Shekspiri në Dashuri dha portretin e djaloshit Shekspir në Londër në moshën e tij të dashurisë, kur jetonte jetën me gaz dhe shkroi Romeo dhe Xhuljetën. Filmi shënoi një sukses i madh. Uilliam Shekspiri nuk është harruar.


RRETH AUTORIT
Që prej vitit 1972 Xhenifer Baset ka punuar në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze. Ajo ka qenë një mësuese, trajnuese mësuesish, botuese dhe shkrimtare. Ajo ka dhënë leksione në Angli, Greqi, Spanjë dhe Portugali. Tani ajo është botuesja e Serisë së Oxford Bookworms Library, dhe ka shkruar mjaft tregime të tjera të kësaj serie, ku përfshihen Biletë pa kthim dhe Fantazma e Operas (që të dyja për fazën e parë). Ajo banon dhe punon në Devonshajër, në jugperëndim të Anglisë.
Për këtë tregim mbi Uilliam Shekspirin ajo ka shfrytëzuar informacionin e marrë prej dramave dhe poemave të tij, si dhe prej qindra libra të shkruara për të. Ajo i ka ndjekur thuajse të gjitha shfaqjet në teatër apo në film – disa prej tyre edhe gjashtë apo shtatë herë, dhe i pëlqen të shkojë në teatrin e ri Globi në Londër.

RRETH BOOKWORMS

OXFORD BOOKWORMS LIBRARY
Klasikë • Tregime • Fantazi & Horror • Dije humane
Krim & Mister • Thriller & Aventurë

The OXFORD BOOKWORMS LIBRARY ofron një gamë të gjërë tregimesh të përshtatura nga origjinali, si klasike edhe moderne, të cilat i shoqërojnë nxënësit nga niveli fillestar përmes gjashtë fazave të shkallëzuara me kujdes të gjuhës:
Stadi parë (400 fjalë) stadi dytë (700 fjalë) stadi tretë (një mijë fjalë) stadi katërt (1400 fjalë) stadi pestë (1800 fjalë) stadi gjashtë (2500 fjalë)
Më shumë se pesëdhjetë tituj janë të disponueshëm në kasetë, dhe kemi shumë tituj nga stadi parë deri në stadin e katërt të cilat rekomandohen veçanërisht për nxënësit adoleshentë. Krahas prezantimit dhe aktiviteteve në çdo Bookworm, materiali burimor përfshin fleta kontrolli dijesh dhe broshura për mësues, të cilat përmbajnë këshilla mbi drejtimin e një bibliotekë shkolle, për përdorimin e kasetave si dhe përgjigje për aktivitete mbi librin.

------------------------------
Oxford Bookworms Library është e lidhur dhe me disa seri të tjera. Ato fillojnë nga revista të ilustruara për lexues të rinj, në skenarë dramash, vepra të tjera dhe tekste të pashkurtuara për kexues të përparuar.
Oxford Bookworms Starters Oxford Bookworms Factfiles
Oxford Bookworms Playscripts Oxford Bookworms Collection

Të dhëna për këto seri dhe një listë e plotë për të gjithë titujt e OXFORD BOOKWORMS LIBRARY mund të gjendet në katalogët e Oxford English. Një përzgjedhje e titujve nga OXFORD BOOKWORMS LIBRARY mund ta gjeni në faqet që pasojnë.

No comments: